Dy persona janë konfliktuar me sende të forta me njëri-tjetrin në qytetin e Peshkopisë, ku si pasojë njëri prej tyre ka përfunduar në spital me plagë të rënda në kokë.
Policia e Peshkopisë bën me dije se një 42-vjeçar kishte shkuar në afërsi të pallatit ku banonte shtetasi H.T të cilin e ka goditur me thikë, ky i fundit për tu mbrojtur e ka goditur me dru në pjesën e kokës.
“Rreth orës 20.00 jemi njoftuar nga urgjenca e spitalit të Peshkopisë, se ka ardhur për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas, i dëmtuar në kokë në gjendje të rëndë. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë, ku ka rezultuar se në një rrugicë të qytetit të Peshkopisë, për motive të dobëta është konfliktuar shtetasi A.T, rreth 42 vjeç, banues në Peshkopi, me shtetasin H.T, rreth 43 vjeç.
Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor, dhe nga informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se shtetasi A.T ka shkuar në afërsi të pallatit ku banon shtetasi H.T, dhe për motive të dobëta dyshohet se ka goditur me thikë në pjesën e shpatullës shtetasin H.T.
Shtetasi H.T për tu mbrojtur e ka goditur shtetasin A.T, me një dru në pjesën e kokës, duke e dëmtuar rëndë. Po nga veprimet e para hetimore rezulton se shtetasi H.T e ka çuar vetë në spital, shtetasin A.T. Pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Peshkopisë, shtetasi A.T, është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar“, informon policia.
Grupi hetimor në vendngjarje ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një thikë që dyshohet se e ka përdorur shtetasi A.T. Shtetasi H.T ndodhet në ambjentet e Komisariatit të Policisë Dibër ku po merret në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur.
Po punohet për sqarimin plotë të rrethanave të ngjarjes.