Golat bëhen makth, Korabi vuan shterpësinë e sulmuesve

353

Korabi nuk ia doli të bënte surprizën ndaj Partizanit, duke marrë një tjetër rezultat negativ. Ajo që po shqetëson më shumë stafin teknik është fakti se sulmuesit nuk po zhbllokohen. Vetëm 9 gola në 26 javë kampionat janë shumë pak për dibranët. Ardit Hoxhaj, i ardhur me bujë nga Skënderbeu, nuk po gjen ende veten, por gjithsesi stafi teknik beson shumë te lojtari.

Në kampin dibran janë të qetë, pasi tashmë dihet që skuadra nuk ka më shanse për të mbijetuar, pavarësisht se matematike ia lejon. Si drejtuesit, trajneri apo edhe vetë lojtarët kanë premtuar nja garë të ndershme deri në fund. Pas humbjes ndaj Partizanit, ekipi ka pushuar dy ditë dhe ka vijuar normalisht stërvitjet për ndeshjen e radhës. Nga sot skuadra do t’i nënshtrohet një stërvitjeje më të ngarkuar fizikisht, duke qenë se deri më 1 prill kampionati është i stopuar prej ndeshjeve të Kombëtares.

Për momentin, ajo që shqetëson është situata e mbrojtësit Ardit Peposhi, i cili doli i dëmtuar nga takimi me Partizanin. Gjithsesi, deri në ndeshjen e fundit të fazës së tretë, që Korabi do të luajë në transfertën e Vlorës, pritet që mbrojtësi i majtë të jetë gati. E veçanta është se ndeshja e radhës do të përballë Gerd Haxhiun me vendlindjen e tij.

Trajneri nuk e ka drejtuar asnjëherë Flamurtarin, por fakt është se të vetmen fitore në krye të Korabit e ka ndaj vlonjatëve.

A.Dushku/ Panorama Sport