FOTO/ Rrënjëve të Dibrës

1003

Në ndjekje të traditës, këtë radhë vendosëm të zbulojmë thesaret në kuzhinën dibrane. Destinacioni: Peshkopia. Veç, kushdo që dëshiron të shkojë atje, duhet të vlerësojë më parë disa alternativa.

E para është të ndjekësh rrugën e vjetër Tiranë – Milot – Burrel – Bulqizë – Peshkopi. Kjo rrugë, edhe pse e panatyrshme në 172 km e saj, të torturon deri në sfilitje me gropat që zgjerohen frikshëm nga harresa e atyre që kanë për detyrë t’i mbyllin. Do na duhen plot 4 orë e gjysmë, në mos më shumë, për të sosur në qytet.

Mënyra tjetër, e palogjikshme, por nga e keqja të detyrohet ta marrësh, është të ngjitemi përpjetë Rrugës së Kombit deri në Kukës e pastaj të marrim në jug rrugën për në Bicaj. Më tutje, përmes një udhe të re, plot me kthesa, duhet të kalojmë në Kalanë e Dodës, komunën Sllovë, Kastriot e, më në fund, pas tre orë e gjysmë udhëtimi, do të mbërrijmë aty ku jemi nisur. Janë rreth 215 km, por sorollatja dhe trazimet nga kthesat e panumërta kompensohen nga komoditeti i asfaltit dhe bukuritë natyrore të trevave veri-lindore shqiptare.

Një alternativë edhe më e panatyrshme është rruga përmes Maqedonisë. Është njëlloj si për të shkuar nga njëra dhomë e shtëpisë në tjetrën, të dalësh nga dera e të futesh nga dritarja. Udhëtari, ose më mirë të themi hallexhiu, duhet t’i bjerë nga jugu e të dalë nga Qafa e Thanës për në Strugë. Që andej t’i qepet përpjetë luginës së Drinit të Zi në drejtim të Dibrës së Madhe për të hyrë sërish përmes Bllatës, duke vazhduar më në veri drejt qytetit, me sa duket të harruar. Distanca është 211 km, por përsëri ia vlen barra qiranë ngaqë rraskapitja është edhe më e vogël.

Mënyra e fundit, ajo më idealja dhe më e shpejta, është rruga e Arbërit. Vetëm 70 km, por kujdes! Mos u nisni me makinë! Mbyllni sytë dhe nisuni me imagjinatë, sepse kjo rrugë është e përfunduar vetëm në letër dhe nëpër kaosin e saj të ndërtimit do gjeni vetëm shirita inaugurimi. Në Dibër do na thonë që përfundimi i saj varet nga humori i politikanëve.

Grupi ynë, pasi peshon mirë alternativat, gjykon të zgjedhë variantin e tretë, rrugën përmes Dibrës së Madhe. Përderisa do të zbulojmë traditën dibrane, pse mos kërkojmë thesaret e saj edhe në trojet jashtë kufirit shtetëror? Një rrugë e dy punë…

Dibra e Madhe, aty ku tradita shpaloset vetëm nëpër festa

Dibra e Madhe shtrihet në bregun e djathtë të Drinit të Zi ose më saktë të degës së tij Radika. Qyeteti, i cili njihet ndryshe si qyteti i shtatë minareve, na del përpara plot hijeshi dhe na mirëpret përmes bujarisë së banorëve. Pa humbur kohë, ne vizitojmë restorantet më në zë të qytetit, me shpresën se aty do të gjejmë traditën dibrane të gatimit. Fillimisht futemi tek restorant-piceri “Afrona”, një nga më të njohurit në qytet. Kur u tregojmë qëllimin e vizitës sonë, kamerieri dhe banakieri i ri venë buzën në gaz dhe me një lloj keqardhjeje naive na thonë se traditën dibrane zor se mund ta gjejmë lokaleve. Menyja e tyre ishte një përzierje produktesh pa identitet, ku nuk mund të kuptoje ku fillonte Lindja dhe ku mbaronte Perëndimi. Largohemi disi të zhgënjyer, me shpresë se diku tjetër fshihej tradita. Por fatkeqësisht atë s’e gjetëm në asnjë restorant të qytetit. Gjithandej qarkullonte gati e njëjta meny: sallaturina ballkanike pa finesë, pasta italiane, pica alla ballkanase dhe mish zkare apo rosto të gatuara në një stil që më shumë i ngjante kulturës së ushqimit në ish-Jugosllavinë e dikurshme sesa botës oksidentale që ata rrekeshin të imitonin.

Heqim dorë nga kërkimi dhe takojmë profesor Mustafa Skikulin, i cili njihet në qytet si njeri që njeh mirë zakonet e vendit. Por edhe këtu jemi të pafat. Profesori është sëmurë dhe po niset me të birin drejt spitalit të Ohrit. “Mos u mërzisni!”- na thotë si një plak i urtë. “Dibra nuk i ekspozon thesaret, aq më tepër nëpër restorante, ku pretendoni ju. Mund t’i gjeni fare kollaj në çdo shtëpi dibrane”. S’na ngelet tjetër veç të ndjekim këshillën e profesorit. Telefonojmë në shtëpinë e pedagoges Qefseri Haxhirexha dhe nga ana tjetër e telefonit vjen një zë i shtruar e që reflekton qytetari. Jemi të mirëpritur në shtëpinë e saj, ndaj s’vonojmë të shkojmë sa më parë. Te pragu i derës na duhet të heqim këpucët, edhe pse zonja kujdeset që ne mos ta marrim këtë gjest për ofendim. Pasi takohemi me të gjithë pjesëtarët e familjes, biseda jonë përqendrohet rreth asaj ç’ka ne po kërkojmë. “Dibra ka një pasuri të paçmuar në traditën e gatimit”, – nis rrëfimin profesoresha e filozofisë. Ne lëvizim paksa nga vendi, duke menduar se më në fund jemi pranë zbulimit. Ndërkohë që gjerbim kafe turke, Qefseria na rendit një nga një perlat e kuzhinës dibrane: Qeshkekun, që bëhet nga gruri i shtypur e i pastruar e që është traditë ekskluzive vetëm e kësaj zone; jufkat e famshme me pulë ose me mish viçi. Nuk ka amvisë dibrane që mos t’i bëjë ato në shtëpinë e vet e megjithatë në qytet paska edhe një fabrikë që prodhon jufka, mbase për “eksport”. Qefseria na tregon pastaj për birjanin, sheqerparen, kabuninë , pulën në qull, pulën me arra, bungurin, fli në renda, hallvën dibrane me ngjyrë të çelët që, ndryshe nga krahinat e tjera, bëhet në disa mënyra e deri te petullat karakteristike, që i dërgohen nuses lehonë kur del nga spitali. Kur e pyesim se përse gjithë kjo traditë nuk ekspozohet në restorantet e qytetit, aty ku çdo kalimtari apo turisti do t’ia kishte ënda të merrte një shije Dibre, ajo mbledh supat dhe pa dashur të mbajë qëndrim qortues, na thotë se tradita dibrane shpaloset me gjithë madhështinë e saj në restorantet e qytetit ditën e dasmave, fejesave dhe synetllëkut. “Në gusht, në familjen time kemi një dasmë. Ju ftoj të vini dhe ju siguroj që do mahniteni me gatimet dhe zakonet tona”, – na drejtohet ajo plot mirësi. Pastaj çohet dhe shkon drejt kuzhinës për t’u kthyer me disa kupa me reçel kivi. “Harrova t’ju them që Dibra shquhet edhe për reçelërat dhe kompostot me fruta”.

Pasi shijojmë kivin e vogël të sheqerosur alla dibrançe, falënderojmë zonjën e shtëpisë dhe i premtojmë se do kthehemi sërish, këtë radhë për të parë nga afër duart e mjeshtrave dibranë teksa i japin formë thesareve të tyre. Ekspozita do të jetë dasma dibrane.

Peshkopia, qyteti i blirit

Vetëm 5 km larg Dibrës së Madhe ndodhet pika e kufirit e Bllatës. Policë që flasin shqip më këtë anë dhe nga ana tjetër, vërtiten si të papunë me duart në xhepa e me cigare në gojë. I fundit prej tyre na pyet se çfarë kemi në bagazh. I themi gjysmë seriozisht se kemi drogë dhe ai zbardh dhëmbët e verdha, duke e na bërë me shenjë që të vazhdojmë. E imagjinoni dot t’i përgjigjeshim kështu një polici të huaj? Do kishim përfunduar direkt e në birucë. Por ne e dimë shumë mirë kur shteti ynë të buzëqesh e kur të fshikullon, ndaj duke shijuar batutën ndjekim rrugën drejt Peshkopisë. Pranvera hijeshon qytetin në një mënyrë krejt origjinale, por sidomos me aromën e blirit në shëtitoren e bukur në qendër të tij.

Një ditë para se të niseshim, ne u takuam me gazetaren dhe njëkohësisht menaxhere pranë Fondacionit Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF), Dhurata Thanasi Daneri. Duke ditur pasionin e saj të madh në qëmtimin e traditës dhe nisur nga një shkrim i saj për odën dibrane, ne i kërkuam disa koordinata, në mënyrë që ta kishim më të lehtë për t’u orientuar.

Në hyrje na pret znj. Suzana Lala, inspektore e ushqimit në bashkinë e qytetit dhe i shoqi i saj, z. Fatmir Lala, ish-veteriner dhe sot farmacist në spitalin rajonal të qarkut. Grupit tonë i bashkohet edhe z. Genc Lleshi, një historian i ri, por që së fundmi i është përkushtuar aktrimit. Njëlloj si në Dibrën e Madhe, miqtë tanë na tregojnë rreth po së njëjtës traditë me disa ndryshime të vogla. P.sh. në Peshkopi, gatime që në Dibrën e Madhe serviren vetëm në raste festash, këtu janë më të përditshme dhe mund t’i gjesh apo t’i porosisësh në restorantet e qytetit. Vumë re gjithashtu se në Dibrën e Madhe kuzhina orientale kishte një ndikim më të madh, ndërkohë që Peshkopia ka një natyrë më perëndimore. Një tjetër anë e veçantë e anës tjetër të kufirit është fakti se aty amvisat më të mira të qytetit kishin një status të veçantë. Njerëzit, në rastet e festave, më shumë besonin në duart e tyre për t’u nderuar para të ftuarve se sa në ato të kuzhinierëve të lokaleve. Sidoqoftë, pavarësisht dallimeve të vogla, mund të themi se kuzhina e krahinës është unike dhe, mbi të gjitha, shquhet për kreativitetin, pastërtinë dhe larmishmërinë e saj.

Pa humbur më kohë me teorizimet rreth saj ne vendosim ta shohim me sytë tanë në një nga restorantet e qytetit. Marrin në telefon pronarin, z. Nesim Kica, dhe nisemi për të parë nga afër mënyrën e gatimit të disa prej recetave më përfaqësuese të krahinës.

Shpresojmë, që nëpërmjet përshkrimit të përgatitjes së tyre dhe ilustruar me fotot përkatëse, t’ju sjellim pranë shijen dibrane dhe t’ju nxisim që gatime të tilla t’i keni edhe në tryezën tuaj.

/Revista Shije/