Fermerët e Dibrës në Maqedoninë e Veriut në pritje të ndihmës nga fondet e IPARD 3, në Shqipëri të bllokuara

179
Zv. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në Maqedoninë e veriut, Flakron Bexheti gjatë një vizite në Dibër, RMV.

Zv. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në Maqedoninë e veriut, Flakron Bexheti, zhvilloi një takim me fermerët e Dibrës. Ministri theksoi angazhimin për mbështetjen e plotë të tyre me qëllim zhvillimin e bujqësisë në rajon dhe në të gjithë vendin. Ai premtoi se administrata lokale në Dibër do të ndihmojë fermerët për të pasur informacionin e mjaftueshëm për aplikimet në fondet IPARD, si një mundësi e madhe për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Fermerët dibranë kanë potencial të madh për të vazhduar aktivitetin e tyre me sukses dhe me mbështetje nga qeveria, si dhe investime nga diaspora, ata mund të shndërrohen në shembuj pozitivë të bujqësisë. Kjo do të ndihmojë gjithashtu në uljen e migrimit, sidomos të të rinjve”, u shpreh Bexheti.

Gjatë takimit, Bexheti njoftoi se së shpejti do të përfundohen projektet për rehabilitimin e sistemit të vaditjes së Fushës së Dibrës. “Dibra ka një numër të madh mërgimtarësh të cilët mund të kontribuojnë në bujqësi, pasi kushtet për zhvillimin e këtij sektori janë shumë të volitshme”, shtoi ai.

Axhibajram Çanka i cili zotëron një fermë në Dibër, u shpreh se ka vështirësi në sjelljen nga jashtë të disa krerëve lopë, por edhe në aplikimet për mbështetje nga donacionet e ndryshme.

“Një kohë të gjatë jam duke u angazhuar që në fermën time të sjell 20 lopë nga Italia, por asesi të gjej gjuhë të përbashkët me administratën në njësinë e ministrisë. Atje nuk më japin informata për dokumentet që nevojiten. Po ashtu, kam probleme edhe gjatë aplikimeve për disa projekte. Kam plane të rris më tej numrin e lopëve dhe viçave, por ndihma e institucioneve mungon. Ne si fermerë na duhet ndihmë profesionale nga Ministria dhe njësitë e saj, por deri tani kjo ndihmë nuk na është dhënë”, deklaroi Axhibajram Çanka.

Zv. ministri Bexheti gjithashtu vizitoi fermën me dhen të fermerit Skënder Ame, i cili e informoi përfaqësuesin e ministrisë mbi ndikimin e mundshëm pozitiv të rritjes së subvencioneve në zhvillimin e blegtorisë. “Unë kam mbi 600 krerë dhen dhe kemi një prodhimtari shumë efikase të djathit të bardhë. Por mendoj se subvencionet duhet të ringjallin blegtorinë. Dekadën e fundit, në Dibër dhe rajon ka rënie të numrit të dhenve, edhe pse kushtet janë shumë të volitshme. Na nevojitet mbështetje për përfitimin e projekteve nga Fondet Evropiane. Ne si fermerë nuk kemi mundësi të bëjmë aplikime”, tha Skënder Ame.

Programi IPARD (Instrumenti i Parë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësinë) është një iniciativë e Bashkimit Evropian që ka për qëllim të mbështesë zhvillimin e sektorit bujqësor dhe rural në vendet kandidate për anëtarësim në BE. Ky program ofron fonde të konsiderueshme për të financuar projekte të ndryshme që synojnë modernizimin e fermave, përmirësimin e infrastrukturës rurale, promovimin e praktikave bujqësore të qëndrueshme dhe rritjen e konkurrencës së produkteve bujqësore shqiptare në tregjet e BE-së.

Gjatë kësaj vizite, zv. ministri Bexheti pati edhe një takim me përfaqësues të shoqatës së peshkatarëve sportiv “Trofta”. Kryetari i shoqatës, Beli Haliti, e informoi Bexhetin për situatën e liqenit të Dibrës dhe mungesën e koncesionit. “Liqeni shumë vite është pa koncesion dhe fondi i peshkut pëson për shkak të peshkimit të paligjshëm dhe mungesës së mirëmbajtjes ekologjike. Ministria duhet të ndajë koncesion për liqenin, vetëm për peshkim sportiv dhe rekreim. Nëse ai koncesion i jepet shoqatës ‘Trofta’, liqeni do të mbrohet nga hajdutët dhe ndotja”, theksoi Haliti.

Programi IPARD: Një shans i humbur për fermerët e vegjël në Shqipëri dhe problematika të shumta në Maqedoninë e Veriut

Që prej vitit 2018, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në Shqipëri u akreditua për të zbatuar Programin IPARD II, duke përmbushur buxhetin me vlerë 94.6 milionë euro. Në Maqedoninë e Veriut, ky program kishte një buxhet prej 80 milionë euro. Megjithatë, raportet e fundit nga OLAF (Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit) tregojnë se përfitimet janë fokusuar kryesisht tek kompanitë e mëdha dhe jo tek fermerët e vegjël.

Sipas raportit të vitit 2024 të OLAF-it, hetimet për grantet e IPARD II në Shqipëri zbulonin parregullsi serioze. Aplikantët shpesh ishin të detyruar të paguanin pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre tek kompani të konsulencës të përzgjedhura paraprakisht, duke përfituar përmes kontratave pa konkurrencë ose me konkurse të manipuluara që përfshinin oferta të rreme dhe çmime të fryra.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut është vendi i parë i rajonit që ka filluar lidhjen e kontratave me përfituesit e programit IPARD 3, ku planifikohen investime në traktorë, makina bujqësore, ndërtime të qendrave, ambiente për prodhimin e PCV-ve dhe aluminit, shtëpi të të moshuarve, restorante dhe hotele në mjedise rurale. Serbia njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje për të marrë 288 milionë euro në fonde granti, sipas programit IPARD III të Bashkimit Evropian. Ndërsa në Shqipëri, diçka e tillë nuk pritet të ndodh për shkak të korrupsionit në financimet e mëparshme.

Për të adresuar këto parregullsi, OLAF ka rekomanduar marrjen e masave të forta korrigjuese nga BE-ja për të parandaluar keqpërdorimet në programet e ardhshme si IPARD III. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka ndaluar përkohësisht miratimin e fondeve të reja derisa të implementohen masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së.

Një nga problemet më të mprehta të hetimeve nga OLAF ishte që fermerët dhe blegtorët në Shqipëri, të cilët supozohej të ishin përfituesit kryesorë, u ndjenë të penguar nga mungesa e informacionit të qartë dhe burokracia e tejzgjatur. “Një pjesë e madhe e aplikantëve nuk janë të vetëmjaftueshëm për të kuptuar dhe ndjekur procedurat e ndërlikuara të aplikimeve pa ndihmën e firmave të konsulencës, të cilat shpesh veprojnë me interesa të dyshimta,” thuhet në raport.

Raporti i OLAF për Shqipërinë, gjithashtu vuri në dukje se kontratat pa konkurrencë dhe manipulimi i ofertave nuk janë raste të izoluara, por tregues të një kulture të përhershme ku procedurat zbatohen për të favorizuar një rreth të ngushtë individësh dhe kompanish. Kjo ka ngritur shqetësime të mëdha në lidhje me përfitimin real të fondeve nga fermerët e vegjël dhe ndikimin që kjo ka në zhvillimin bujqësor afatgjatë në rajon.