Tifozë të kamufluar dhe “Bobi” në formë, pikantet nga Korabi-Partizani

406

Tifozët e Partizanit e kanë pasur të ndaluar që ta mbështesnin dje skuadrën në mënyrë të organizuar. Gjithsesi, rreth 500 prej tyre kanë arritur që ta mbështesin Partizanin duke u kamufluar si tifozë të thjeshtë që u pozicionuan në tribunat e hapura vetëm për tifozët e Korabit, që ishte organizator i ndeshjes së djeshme.

– Takimi Korabi – Partizani u luajt në stadiumin “Selman Stërmasi”. Ndeshja u zhvillua me reklamat që shpalos Tirana kur është pritëse.

– Disa tifozë të Partizanit kanë harruar se nuk lejoheshin që të hynin në stadium me uniformën e kuqe dhe me simbolet e klubit kryeqytetas. Disa prej tyre janë kthyer, por njëri, për të mos e humbur mundësinë, ka hequr fanellën e kuqe dhe ka hyrë në stadium me kanotiere. 90 për qind e tifozëve të pranishëm në stadium ishin përkrahës të Partizanit, gjë e cila u identifikua që në momentin kur skuadra hyri në fushë para fillimit të ndeshjes, kur ata nisën t’i duartrokasin.

– Dy lojtarët e dëmtuar të Partizanit, Gëzim Krasniqi dhe Idriz Batha, e panë ndeshjen nga tribuna kryesore. Krasniqi preferoi që të ulej në tribunën VIP pranë drejtuesve të klubit, ndërsa Batha e pa në atë B, ku qëndronin tifozët.

-Minuta 2′: Korabi nxjerr në nxehmje Emrush Kaloshin, pasi Ardit Peposhi pësoi një tërheqje që në start. Trajneri Gerd Haxhiu i bënte me shenjë që të lëvizte shpejt, pasi duhet të hynte në fushë.

– Minuta 7′: Në momentin që Kaloshi po hynte në fushë, një tifoz nga tribuna i thërret: “Kalosh, t’i ikësh Ibrahimit me të shpejtë!”.

– Minuta 13′: Vjen udhëzimi i parë i Starovës, i cili të gjithë ndeshjen e ndoqi në këmbë: “O Vile, kujdes topin e dytë!”.

– Minuta 16′: Malota i kërkon Bardhit të lëvizë pak në fushë.

– Minuta 21′: Starova e ka me Vilën pas një pasimi jo të saktë.

– Minuta 22′: Trajneri Gerd Haxhiu, pas zëvendësimit të minutës së 7-të, del për herë të parë nga pankina, duke qëndruar në këmbë pranë vijës anësore.

– Minuta 30′: Ibrahimi vonohet në gjuajtjen e topit dhe një tifoz nga tribuna qendrore i thërret: “Bjeri Labo, se nuk është fjalëkryq!”.

– Minuta 31′: Pas autogolit të Prençit, tifozët nisën të thërrasin emrin e Partizanit.

– Minuta 32′: Goli i bukur i shënuar nga Ekuban ka bërë që të gjithë të pranishmit ta duartrokasin, por në shenjë ironie, pasi e kishin të ndaluar të ekspozonin simbolet e Partizanit, tifozët kanë thirrur: Korabi! Korabi!…

– Minuta 34′: Një tifoz dibran i thërret Starovës: “O Sule, i kemi pasur llafet për një gol, jo për dy”.

– Minuta 38′: Fili humbet një top në anësore, shumë pranë pankinës së Partizanit. Trajneri Starova i tërheq vëmendjen lojtarit për veprimin.

– Minuta 41′. Bardhi humbet topin në mesfushë, trajneri Starova vë dy duart në kokë nga veprimi i lojtarit të tij.

– Minuta 46′: Sapo nis pjesa e dytë, trajneri Starova i tërheq vëmendjen mbrojtësit Labinot Ibrahimi: “O Labo, zgjohu!”.

– Minuta 53′: Nga tribuna përkarshi tifozët i thërrasin trajnerit të Partizanit: “O Sule, ngrije në nxehmje Xhevon (Sukajn)!”.

– Minuta 55′: Në stadium nisin ovacionet e tifozëve pas daljes së Sukajt në nxehmje.

– Minuta 60′: Ramadani humbet një top duke i dhënë një mundësi shënimi Korabit, por portieri Hoxha del dhe largon rrezikun. Në këtë moment, trajneri Starova gati sa nuk hyn në fushë duke bërtitur nga gabimi që bëri mesfushori.

– Minuta 69′: Tifozët nisin të duartrokasin në momentin që stafi thërret Sukajn që të vijë te pankina dhe të bëhej gati për të hyrë në fushë.

– Minuta 70′: I gjithë stadiumi shpërthen në duartrokitje për një veprim të bukur të Ekubanit në fushë. Duartrokitjet dhe brohoritjet zgjasin, pasi pas këtij momenti në fushë hyn Sukaj, që dje debutoi me Partizanin për këtë sezon.

– Minuta 72′: Jubani provon me një gjuajtje. Ndonëse topi përfundoi jashtë, tifozët, të cilët sigurisht ishin të Partizanit, nisën të duartrokasin veprimin e lojtarit të Korabit.

– Minuta 75′: Goditje dënimi për Partizanin. Trashi kërkon që ta godasë menjëherë topin, por trajneri Starova nuk e lejon, pasi kishte udhëzime për të dhënë, ku me sa dukej duhet të zbatohej një skemë. “Trashi, mbaje, mbaje, mos e gjuaj. O Labo (Ibrahimi) ik përpara”, ishin udhëzimet e “Bobit” në këtë rast.

– Minuta 77′: Trajneri Starova e ka me Labinot Ibrahimin, që vonon me largimin e një topi: “Jepe topin, e bërë ekipin nën presion!”.

– Minuta 79′: Portieri Hoxha e largon topin në të djathtë, por veprimi i kapitenit nuk i pëlqen trajnerit, i cili thërret: “O Alban, mos jep ashtu topash”.

– Në momentin që trajneri Gerd Haxhiu po jepte intervistën pas ndeshjes, stenda me sponsorët e Partizanit i bie trajnerit të Korabit në shpinë.

/Panorama Sport/