Policia e Bulqizës ka zbardhur ngjarjen tragjike të ndodhur mbrëmjen e 28 gushtit në fshatin Ostren, ku një 82-vjeçare humbi jetën pas një aksidenti që fillimisht u raportua si rrëzim aksidental. Hetimet zbuluan se 82-vjeçarja u përplas nga një motomjet i drejtuar nga një 16-vjeçar, i cili më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
“Pas hetimeve të thelluara, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe grumbullimi i të gjitha provave materiale, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ku rezultoi se 82-vjeçarja, rreth orës 20.00, të datës 28.08.2024, ishte aksidentuar nga një motomjet që drejtohej nga shtetasi L.M., 16-vjeç, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i aksidentit.” thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga DVP Dibër.
Policia ka ndaluar adoleshentin, L.M., për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt dhe largim nga vendi i aksidentit. Gjithashtu, është nisur procedimi penal për djalin e viktimës, P.M., për pengim të zbulimit të së vërtetës, pasi ai kishte dijeni për aksidentin dhe nuk e kallëzoi.
Në deklaratën e DVP Dibër, thuhet se edhe dy infermierë në Qendërën Shëndetësore të Ostrenit, I.K. dhe H.K., gjithashtu janë proceduar penalisht nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Këta të fundit, si personel mjekësor nuk raportuan dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.