Qeveria synon rikthimin e importit të mbetjeve

237
Foto ilustruese

Një projektligj i ri i Ministrisë së Mjedisit synon ti hap rrugën importit të mbetjeve në Shqipëri. Në vitin 2016, Shqipëria u përball me një valë të madhe protestash kundër një ligji të propozuar që do të lejonte importin e mbetjeve në vend. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qytetarë të zakonshëm dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit dolën në rrugët e Tiranës për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij ligji, duke e parë si një kërcënim për mjedisin dhe shëndetin publik. Këto protesta çuan në tërheqjen e ligjit nga qeveria.

Por me planin e bërë publik përmes një projektligji të ri të Ministrisë së Mjedisit, i cili është paraqitur për konsultim publik në faqen zyrtare të qeverisë, ideja e vjetër për importin e mbetjeve në Shqipëri, po merr “dritë jeshile”.

Projektligji ka për qëllim të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe në nenin 73 përcakton se, në përgjithësi, importi i mbetjeve në Shqipëri do të ndalohet, përveç rasteve kur Këshilli i Ministrave e miraton.

“Në territorin e Republikës së Shqipërisë do të lejohen të importohen vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, të cilat përjashtohen nga ndalimi i përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import nga Këshilli i Ministrave,” thuhet në projektligj.

Gjithashtu, projektligji parashikon që Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Mjedisit, të miratojë listën e mbetjeve jo të rrezikshme që do të lejohen për import në Shqipëri, si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.

Neni 74 i projektligjit lejon gjithashtu kalimin tranzit të mbetjeve jo të rrezikshme nëpër territorin e Shqipërisë, për të cilat do të kërkohet vetëm një leje nga ministri i Mjedisit.

Pas publikimit të lajmit për projektligjin që synon rikthimin e importit të mbetjeve në Shqipëri, Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka reaguar me një thirrje për mobilizim të qytetarëve. Në njoftimin e saj, AKIP ka bërë të ditur: “Në kuadër të nismës së re të qeverisë për të rikthyer idenë e vjetër të importit të plehrave, po riorganizohemi. Nëse dëshironi të kontribuoni në këtë përpjekje, ju lutem na kontaktoni në inbox. Ndani këtë mesazh me miqtë dhe familjarët tuaj. Për herë të katërt brenda 20 vjetësh, na duhet të mbrojmë edhe një herë Shqipërinë nga plehrat.”

Qeveritë shqiptare, që nga fillimi i viteve 2000, kanë propozuar në mënyrë të përsëritur nisma ligjore që synojnë të lejojnë importin e mbetjeve në vend. Këto nisma janë justifikuar me arsye të ndryshme, si nevoja për të menaxhuar më mirë mbetjet e vendit, për të gjeneruar të ardhura shtesë ose për të mbështetur sektorë të caktuar të ekonomisë.

Shqipëria përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e mbetjeve, për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për përpunimin e tyre. Aktualisht, vendi nuk ka kapacitetet e duhura për të menaxhuar në mënyrë efektive as mbetjet që gjeneron vetë. Shumica e mbetjeve të prodhuara në Shqipëri përfundojnë në landfille të pa kontrolluara ose në natyrë, duke shkaktuar ndotje të madhe të tokës, ajrit dhe ujërave.

Projektet e ndërtimit të incineratorëve në Shqipëri, janë shoqëruar me akuza të forta për korrupsion, duke përfshirë tenderë të manipuluar, çmime të fryra dhe kontrata të dyshimta. Këto akuza kanë çuar në hetime dhe arrestime të disa zyrtarëve publik nga radhët e Partisë Socialiste si të përfshirë në korrupsion.