Miniera e Kromit në Bulqizë vihet si garanci për kredi bankare

795
Miniera e kromit në Bulqizë.

Miniera e kromit në Bulqizë ka përfunduar si peng në bankë. Pronarët turq të minierës kanë vendosur kuotat e shoqërisë koncesionare Albchrome shpk si garanci për shlyerjen e një kredie të madhe të marrë nga banka Raiffeisen në Shqipëri. Vendosja e minierës më të madhe në vend si peng në bankë është miratuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor i koncesionit – transmeton Kapitali.al

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pas takimeve të realizuara me përfaqësuesit tuaj dhe komunikimeve me institucionet e tjera shtetërore, në lidhje me këtë kërkesë, si dhe duke ju referuar parashikimeve përkatëse në marrëveshjen e koncesionit, shprehet parimisht dakord për vendosjen e barrës mbi kuotat e komponentit 1A, prej 20.6 milionë eurosh, që përbën vlerën për ristrukturimin e huasë ekzistuese të shoqërisë Albchrome,” thuhet në shkresën e MIE të firmosur nga ministrja e linjës, Belinda Balluku, drejtuar shoqërisë Albchrome përmes të cilës miratohet vendosja e kuotave të saj si garanci në bankë.

Nuk dihet nëse Albchrome është detyruar nga vështirësitë financiare të kërkojë ristrukturimin e borxheve të vjetra në banka. Në vitin 2022, koncesionari i minierës së kromit në Bulqizë fitoi rreth 45 milionë euro para taksave, ndërsa bilanci i vitit të kaluar nuk është bërë ende publik. Megjithatë, vendosja e aseteve publike si garanci në banka i ekspozon ato përpara riskut të tjetërsimit.

Vendosja e aseteve publike si garanci në banka mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e tjetërsimit dhe falimentimit. Nëse kompanitë nuk janë në gjendje të shlyejnë borxhet, bankat kanë të drejtë të marrin asetet për të mbuluar borxhin e pashlyer, gjë që mund të çojë në humbjen e pronësisë së këtyre aseteve. Ndryshimet në tregjet financiare dhe problemet ekonomike gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në vlerën e aseteve, duke rritur mundësinë e falimentimit. Mungesa e transparencës dhe menaxhimi i dobët i këtyre vendimeve mund të përkeqësojnë situatën. Për të minimizuar këto rreziqe, nevojiten politika dhe rregullore të qarta, si dhe mbikëqyrje efektive për menaxhimin e aseteve publike.

Në Shqipëri ka pasur raste ku asetet publike janë përdorur si garanci për kredi bankare. Një rast i njohur është ai i Rafinerisë së Ballshit, dikur një nga asatet më të mëdha të përpunimit të naftës në Shqipëri. Rafineria sot nuk ekziston më dhe është shitur për skrap.

Kompania Albchrome, që zotëron pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës, ka kaluar si pronësi në disa kompani që nga privatizimi i saj. Në vitin 2001, kompania italiane “Darfo” fitoi të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferrokromit në Elbasan.

Në vitin 2007, Albanian Chrome, pjesë e grupit austriak “Deco Metal”, hyri në tregun shqiptar pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Këta të fundit u larguan në vitin 2013 pas një sërë protestash nga sindikatat për pagat dhe kushtet e punës. Në janar të vitit 2013, Balfin sh.p.k bleu 100% të aksioneve. Në korrik të vitit 2016, Kuvendi zgjati me 10 vjet të tjera afatin e koncesionit të Minierës së Kromit në Bulqizë për kompaninë private ACR Holding, pjesë e Balfin Group. Qeveria e Partisë Socialiste arsyetoi zgjatjen e periudhës së koncesionit deri në vitin 2040 me investimet shtesë që do të kryente koncesionari në Bulqizë.

Shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V., pjesë e grupit turk Yildirim, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Hollandë. Grupi Yildirim operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë, prodhimin e plehrave kimike, fertilizuesve dhe kimikateve, menaxhimin e porteve, ndërtim, transport, logjistikë, etj. Grupi në fjalë është një biznes në pronësi të familjes turke Yildirim. Sipas informacionit zyrtar në faqen e grupit, thuhet se zhvillon biznes në 51 shtete të botës dhe ka rreth 13 mijë të punësuar.

Grupi Balfin e shiti koncesionin e Albchrome në janar të vitit 2022 te Yildirim International Mining Investments B.V.