Në Dibër të Madhe shtohen bizneset, kontrast me realitetin në bashkitë kufitare të Shqipërisë

647
Dibra e Madhe, Maqedonia e Veriut. Foto: Sami Curri

Numri i kompanive tregtare në Dibër të Madhe të Maqedonisë së Veriut, vazhdon të ketë rritje. Markat më të rëndësishme ndërkombtare, por edhe vendase kanë hapur pikat e tyre të shitjes, kryesisht në produktet e ndërtimit, por edhe të konsumit të përditshëm. Për ekonomistët në Dibër, shtimi i kompanive që hapin pikat e tyre të shitjeve në këtë zonë, nuk e shohin vetëm nga konsumatorët lokal, por edhe me konsumatorët e shumtë nga bashkitë Dibër dhe Bulqizë, në brezin kufitar me Shqipërinë.

Përfaqësuesit e tregtarëve në Dibër të Madhe, tregojnë se afërsia me Shqipërinë është faktori kyç për hapjen e pikave të shitjes nga kompanitë e mëdha. Kjo pasi qytetarët nga bashkitë në anën tjetër të kufirit gjejnë produkte me çmim shumë më të arsyeshëm. Ata shprehen të kënaqur me volumin e tregtisë në zonë, ndërkohë që vlerësojnë fuqinë blerëse të komunës së Dibrës, duke përfshirë edhe numrin e madh të mërgimtarëve.

Afrim dhe Nazmie Asani janë dy banorë nga Shqipëria, që jetojnë në një fshat kufitar. Si ditë e shtunë ata po blejnë produkte ushqimore në një market të Dibrës së Madhe. Të mbushura plot me produkte, Afrimi i vendos në makinë. “Vizitojmë Dibrën çdo të shtunë për të blerë ushqime. Çmimet janë shumë më të lira këtu se në vendin tonë, dhe gjithashtu furnizohemi edhe me naft me çmim shumë më të ulët”, tha Afrimi. Kjo praktikë ndiqet prej shumë vitesh edhe nga banorët e tjerë të Shqipërisë që bëjnë blerje të produkteve ushqimore dhe jo vetëm në Dibër të Madhe. Valoni, 43 vjeç, jeton në një lagje të Dibrës së Madhe. Ai vlerëson se hapja e marketeve nga kompanitë e mëdha ka bërë që çmimet në marketet lokale të bien. “Konkurrenca në treg është pozitive. Është mirë që tani kemi mundësi të zgjedhim mes opsioneve dhe të gjejmë produkte me çmime më të përballueshme”, tha ai.

Anëtarët të odave ekonomike që veprojnë në Dibër të Madhe, thonë se hapja e marketeve pothuajse nga të gjithë kompanitë e fuqishme të vendit, është një dukuri pozitive për dibranët. Nga Oda Ekonomike thuhet se pozicionimi i Dibrës pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ka qenë një faktor kyç për interesin e kompanive të mëdha për hapjen e marketeve. Fuqia blerëse e shumë shtetasve shqiptarë në Dibër është vlerësuar si një stimul për këtë zhvillim tregtar. Rritja e frekuencave në vendkalimet kufitare Bllatë dhe Xhepishtë nga shtetasit shqiptarë ka theksuar rëndësinë e kësaj zone si destinacion blerjesh, duke përfshirë jo vetëm artikuj ushqimorë, por edhe atyre teknologjik dhe produkteve industriale. Me shtimin e konkurrencës në tregun e Dibrës dhe rritjen e fuqisë blerëse nga zonat kufitare, pritet që biznesi në këtë zonë të zhvillohet edhe më shumë.

Situata në bashkitë kufitare të Shqipërisë, dëshpëruese

Në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, situata nuk është e njëjtë. Vetëm 5 kilometra larg nga Dibra e Madhe, në Maqellarë, një pronar biznesi në tregtimin e karburantit, që preferoi të mbetet anonim, shprehet se blerjet në anën tjetër të kufirit i kanë vendosur në vështirësi: “Ne kemi vite që tregtojmë naftë dhe benzinë. Jemi afër pikëkalimit kufitar. Thjesht punojmë e paguajmë detyrimet, asgjë më shumë. Njerëzit si në Maqellarë, Gjoricë e Bulqizë, por edhe në Dibër, furnizimin me naftë e bëjnë në Dibër të Madhe. Nuk ke se çfarë ju thua. Shkon deri në 60 lekë për litër më lirë. Gjithashtu edhe me një rrugë që mund të bëjnë furnizohen por edhe marrin furnizim me ushqime. Ku edhe aty i ke më lirë. Të paktën gati 20% më lirë se tek ne në Shqipëri as që bëhet fjalë.”

Dibra, Kukësi dhe Elbasani janë qarqet me aktivitetin më të dobët ekonomik në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, këto zona regjistrojnë nivelin më të ulët të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, që varion nga 327 mijë deri në 389 mijë lekë. Këto shifra janë ndjeshëm nën mesataren e vendit me 540 mijë lekë për frymë.

Kjo shpërndarje e dobët e peshës së ekonomisë tek këto tre qarqe përkthehet në më pak investime, më pak vende pune, më pak fuqi blerëse, e rrjedhimisht më shumë varfëri. Kjo mbështetet edhe nga shifrat e tjera të INSTAT, si numri i familjeve që përfitojnë nga ndihma ekonomike.

Rënia e konsumit lidhet me tkurrjen e rëndë të popullsisë në qarkun Dibër të Shqipërisë, duke u ulur me 16 mijë banorë në 5 vitet e fundit. Gjatë vitit 2022, qarku Dibër përbëhej nga vetëm 109,585 banorë. Largimet janë përfshirë si migracione brenda vendit ashtu edhe emigracione jashtë tij.

Përpos largimeve, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një shqetësim jo vetëm për bizneset vendase, por edhe për të huajt që vijnë dhe investojnë në Shqipëri. Në një anketë të kryer nga Shoqata e Investitorëve të Huaj gjatë vitit 2024 vihet re se aksesi i grupeve të interesit në fuqinë punëtore të kualifikuar gjatë këtij viti është përkeqësuar, duke reflektuar kështu vështirësinë që ata kanë për të gjetur punonjës të zotë.