Trajnim i përbashkët mes gazetarëve nga Maqedonia e Shqipëria për të raportuar çështje me interes publik në Dibër

191
Trajnim i përbashkët mes gazetarëve zhvilluar në Bulqizë. Foto: Sami Curri

Mediat Bulqizaime.al në Shqipëri dhe TV3 në Maqedoninë e Veriut, organizuan një tryezë të rrumbullakët dhe trajnim për gazetarë dhe profesionistë të lirë në fushën e medias me në fokus raportimin ndërkufitar.

Në kuadër të këtij projekti, synohet të krijohet një mekanizëm bashkëpunimi mediatik lokal mes Dibrës në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, për të raportuar çështje me interes publik që prekin qytetarët në të dyja rajonet. Por gjithashtu, me rëndësi që ky projekt të shërbejë në të ardhmen për ngritjen e urave të bashkëpunimit mediatik, ndërmjet gazetarëve dhe mediave në të dyja anët e kufirit.

Në këtë takim, Vladimir Karaj, gazetar dhe redaktor me përvojë të gjatë në shtypin e shkruar dhe gazetarinë investigative, ofroi disa prej teknikave dhe strategjive të nevojshme për të kryer hulumtime gazetareske për të adresuar çështjet ndërkufitare, por jo vetëm. Kjo si kombinim i lajmeve, artikujve të zgjeruar dhe raportimit multimedial në rrjetet sociale.

Ky takim u zhvillua në ambientet e “Kulla Hupi” në Fushë-Bulqizë. Ky aktivitet organizohet në kuadër të projektit “WB6 MEDIA për mbështetjen e lirisë së medias dhe pluralizmin në Ballkanin Perëndimor”, me mbështetjen e Programit #SustainMedia, të bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, të implementuar nga GIZ Albania, DW Akademie dhe Internews.

Për Bulqizaime.al dhe Tv 3

Bulqizaime.al është një media lokal online në rajonin e Dibrës, Shqipëri – ndërsa TV3 është një rrjet televiziv rajonal në Maqedoninë e Veriut. Bulqizaime.al është formuar fillimisht si një grup informal që raportonte për problemet dhe protestat e qytetarëve në rrjetet sociale. Pas mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë, prej vitesh Bulqizaime.al është formalizuar. Bulqizaime.al synon të informojë publikun për ngjarjet e aktualitetit, monitorimin e institucioneve publike, gazetarisë investigative, të drejtat e njeriut dhe mbështetjen e reagimeve qytetare.

Në anën tjetër, TV3 është një rrjet televiziv që mbulon ngjarjet aktuale në Maqedoninë e Veriut, duke transmetuar edicionet e lajmeve në tre gjuhë: shqip, maqedonisht dhe turqisht. Ky bashkëpunim – si pjesë e programit “WB6 MEDIA për mbështetjen e lirisë së medias dhe pluralizmin në Ballkanin Perëndimor” – ndërmjet Bulqizaime.al dhe TV3 synon të adresojë çështje të rëndësishme të interesit publik në rajonin e Dibrës në të dyja anët e kufirit, duke përdorur një gamë të gjerë temash dhe duke mbështetur raportimin e pavarur dhe të saktë.

Përmes këtij projekti synojmë të krijojmë një mekanizëm bashkëpunimi lokal mediatik me misionin: Raportimin e çështjeve me interes publik që prekin banorët në të dy anët e kufirit. Raportimin për çështje dhe mundësi zhvillimi ekonomik në të dy anët e kufirit. Artikuj dhe video – kronika për historitë e suksesit në bashkëpunimin rajonal. Për të mbështetur shkëmbimin e përfaqësuesve të mediave lokale në rajonin e Dibrës, por edhe shkëmbimin e ideve.

Projekti do të zbatohet në harkun kohor të një viti, konkretisht mars 2024 – mars 2025. Gjatë kësaj kohe do të zhvillohen dy tryeza bashkëpunimi – trajnimi me gazetarë dhe përfaqësues të medias në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo me synim për të përmirësuar aftësitë e raportimit të historive dhe çështjeve ndërkufitare.

Në muajt në vijim do të ketë edhe një thirrje të hapur për gazetarët bashkëpunëtorë që nuk janë pjesë e medias zbatuese të projektit, por që mund të sjellin për publikim video, lajme ose artikuj të lidhur me çështjet ndërkufitare, kjo kundrejt pagesës – dakordësuar më parë me radaktorin dhe grupin e punës.

Gjatë zbatimit të projektit, Bulqizaime.al dhe Tv 3 synon të punoj:

20 video-lajme, 30 lajmeve të shkruara, 5-7 artikuj të thelluar, realizimin e 7 video – serive ose dokumentarëve që fokusohen në çështje që prekin të dyja rajonet si dhe 5 video-intervista me zyrtarë lokalë, personalitete të angazhuara nga të dyja anët e kufirit. Këto produkte mediatike do të transmetohen në kanalet e komunikimit përkatëse të Bulqizaime.al dhe Tv3.