Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën për protestën që po zhvillon në bulevard prej një muaji.
Gjatë fjalës së tij, Rama sulmoi drejtuesit e PD, deputetët demokratë, aleatët dhe analistët e opinionistët që i janë bashkuar protestës tek çadra.
Kryeministri theksoi se nuk do të dorëhiqet, nuk do të pranojë krijimin e një qeverie teknike e as shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit dhe i bëri thirrje opozitës që të tërhiqet nga protesta.
“Në këtë përpjekje janë përfshirë Saliu, Luli, shpura parlamentare demokratë që nuk duan asgjë, tufëza e kryetarëve aleatë, një çet thashethemexhinj profesionist sa në ekrane dhe në portale, një grusht gjykatësisht, të huajt jo dashamirës të këtij kombi që nuk duan Shqipërinë të bëjë shtet, e disa individë.
Çadra e ngritur në mes të bulevardit pret atë që nuk do të vijë ndonjëherë, sepse s’ka për të ardhur ndonjëherë lajmi që vetingu s’do bëhet, s’ka për të ardhur ndonjëherë ftesa për qeveri teknike, s’ka për të patur shtyrje të zgjedhjeve. Të vetmit që përfitojnë nga pritja e kotë janë thashethemexhinjtë të rreshtuar. Ata mbushin xhepat me para të zeza”, tha Kryeministri Edi Rama në video-monologun e tij.
Megjithatë, Kryeministri ishte disi i paqartë edhe vet. Ai u shpreh se pavarësisht që nuk do pranojë qeveri teknike, është i gatshëm për të dialoguar me opozitën që kjo e fundit të marrë garancitë që kërkon për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Rama tha gjithashtu se është i sigurt që Partia Demokratike dhe partitë aleate do të rikthehen në Parlament.