Dënohet me 2 vjet burg ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla

866
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar gjeti fajtorë ish-kryetarin socialist të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla dhe 8 të pandehurit e tjerë, akuzuar për aferën korruptive në një tender për ndërtim e kanalizimeve dhe ujësjellësi me vlerë me 2.8 milionë euro. Alla u dënua me 3 vjet burg, që u konvertua në dy vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dy javë më parë më 15 dhjetor prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, kërkoi dënimin me 2.4 vjet burg për ish-kryebashkiakun Alla dhe 17.6 vjet burg gjithsej për të pandehurit e tjerë.

Vetë Alla, tha në sallën e gjyqit se nuk kishte shkelur ligjin dhe këmbënguli te statusi i tij prej të zgjedhuri. Alla pretendoi se kishte sakrifikuar biznesin e familjes për “t’i shërbyer popullit të Bulqizës” dhe tha se kishte punuar me ndershmëri.

Gjykata gjeti fajtorë edhe të akuzuarit e tjerë. Për të pandehurën Enkeleda Lleshi, ish-nënkryetare e bashkisë u dënua me 2 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për ushtrimin e funksioneve publike; për Rubin Kolën, Arsen Gjokën, Leonard Daçin e Kujtim Zogun u kërkua dënimi me nga 1 vjet e 4 muaj për secilin, si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet; ndaj Erion Isakut dhe Rasim Dacit u dënuan me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet për të parin dhe 3 vjet për të dytin.

Po ashtu, gjykata deklaroi fajtorë dhe dënimin e dy të pandehurve për “Falsifikim të dokumenteve”. Konkretisht: Aqif Konesha u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione administrative për 3 vjet; dhe ndaj Dali Gazidedjas 1 vit e 2 muaj heqje lirie.

Procedura e prokurimit për të cilën u dënuan zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjn “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore.