SPAK kërkon 2 vjet e 4 muaj burg për ish-kryetarin e Bulqizës, Lefter Alla

789
Ish- kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla. Foto: Llogaria zyrtare në Facebook

Prokuroria e Posaçme paraqiti të premten më 15 dhjetor në gjykatën respektive konkluzionet përfundimtare në çështjen penale në ngarkim të ish-kryetarit socialist të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla dhe të 9 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për një aferë korruptive në një tender me 2.8 milionë euro.

Prokuroria kërkoi dënimin me 2.4 vjet burg për ish-kryebashkiakun Alla dhe 17.6 vjet burg gjithsej për të dhjetë të pandehurit, të cilët përfituan edhe ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar. Pë dy të tjerë të pandehur në këtë çështje, Ana Nishku dhe Kastriot Ibrahimaj çështja u nda më vete, pasi ata kërkuan gjykim të zakonshëm.

Zyrtarët publikë akuzohen për veprat penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Për të pandehurën Enkeleda Lleshi u kërkua dënimi me 2 vjet burg dhe heqjen e të drejtës për 5 vjet për ushtrimin e funksioneve publike; për Rubin Kolën, Arsen Gjokën, Leonard Daçin e Kujtim Zogun u kërkua dënimi me nga 1 vjet e 4 muaj për secilin, si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet; ndaj Erion Isakut dhe Rasim Dacit u kërkua dënimi me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe heqja e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet për të parin dhe 3 vjet për të dytin.

Po ashtu, prokurorja Bejko kërkoi deklarimin fajtorë dhe dënimin e dy të pandehurve për “Falsifikim të dokumenteve”. Konkretisht, për Aqif Koneshën u kërkua dënimi me 1 vit e 6 muaj burgim dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione administrative për 3 vjet; dhe ndaj Dali Gazidedjas 1 vit e 2 muaj heqje lirie.

Sipas SPAK procedura e prokurimit për të cilën akuzohen zyrtarët e Bashkisë së Bulqizës është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjn “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore. Prokuroria pretendon se ish-kryebashkiaku Alla; zv.kryetarja e Bashkisë Bulqizë Enkeleda Lleshi, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit e të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë ndërmarrë veprime aktive të kundërigjshme që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin e fituesit megjithëse ky subjekt nuk i përmbushte të gjitha kriteret.