Gjyqi ndaj ish-kreut të Bashkisë së Bulqizës ndahet në dysh

961
Ish- kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla. Foto: Llogaria zyrtare në Facebook

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën më 21 nëntor të veçojë gjykimin e çështjes në ngarkim të zyrtarëve të Bashkisë Bulqizë, përfshi dhe ish-kryetarit socialist, Lefter Alla, të cilët akuzohen për aferë kurruptive në një tender me vlerë afro 2.8 milionë euro, që synonte të rinovonte rrjetin e kanalizimeve në lagjen më të vjetër të qytetit.

Përfaqësuesja ligjore e të pandehurit Lefter Alla, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë, kërkoi që çështja për të mbrojturin e saj të veçohet nga dy të pandehur të tjerë që kanë kërkuar gjykim të zakonshëm, pasi ai vetë ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Njësoj kërkuan edhe përfaqësuesit ligjorë të dhjetë të pandehurve të tjerë, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Lonard Daçi, Erjon Isaku, Rasim Daci, Aqif Konesha dhe Dali Gazidedja.

Ndërsa avokatet e të pandehurve Ana Nishku dhe Kastriot Ibrahimaj u qëndruan kërkimeve për gjykim të zakonshëm. Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj shpalli vendimin e ndërmjetëm për pranimin e kërkimit për veçimin e gjykimit dhe ftoi palët për të paraqitur konkluzionet përfundimtare. Prokurorja e çështjes Dorina Bejko kërkoi kohë dhe gjykata e shtyu seancën për më datë 4 dhjetor, në orën 15:00.

Prokuroria konstaton se procedura e prokurimit është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjn “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore, pasi nga ana e Allës, zv.kryetares së Bashkisë Bulqizë Enkeleda Lleshi, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit e të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, janë ndërmarrë veprime aktive të kundërigjshme që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin e fituesit megjithëse ky subjekt nuk i përmbushte të gjitha kriteret. Sipas SPAK, megjithëse fitues është shpallur Rasim Daci, punimet janë kryer nga Aqif Konesha që nuk është shpallur fitues, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore dhe se kjo është bërë me qëllim që të mos krijoheshin dyshime për lidhjet e këtij të fundit me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, të pandehurin Lefter Alla. Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Aqif Konesha rezulton me lidhje të afërta me kryebashkiakun Lefter Alla.

Po ashtu, prokuroria thotë se është provuar se nga subjekti i shpallur fitues janë kryer pagesa në favor të anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik, të hetuarit Erion Isaku.

Ndërsa administratorët e dy kompanive të përfshira, Rasim Daci dhe Aqif Konesha, si dhe mbikëqyrësja e punimeve, Ana Nishku dhe drejtuesi teknik i punimeve, Dali Gazidedja akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara gjatë zbatimit të kontratës duke pasqyruar faktin e rremë se punimet janë kryer nga firma fituese e procedurës së prokurimit. Kastriot Ibrahimaj i cili ashtu si Nishku ka kërkuar gjykim të zakonshëm, akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularve”.

Punimet për kanalizimet në lagjen e vjetër, Bulqizë, objekt i hetimit nga SPAK. Foto: Bulqizaime.al

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në datën 14.09.2023) kërkesën për gjykim në ngarkim të pandehurve:

1. Lefter Alla, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

2. Enkeleda Lleshi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

3.Rubin Kola, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal.

4. Arsen Gjoka, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal.

5. Kujtim Zogu, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal.

6. Erion Isaku, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 dhe “Korrupsion pasiv i personave qe ushtrojne funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal.

7. Leonard Daçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal.

8. Denis Xholi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve ligjore te kryera me ligjin nr.43/2021) e 25 i Kodit Penal.

9. Rasim Daci, akuzuar per veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka per detyre te perpiloje dokumentin, kryer ne bashkepunim e me shume se njehere, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i K.Penal dhe “Korrupsioni aktiv i personit qe ushtron funksione publike” parashikuar nga neni 244/2 i K.Penal.

10. Aqif Konesha, akuzuar per vepren penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer ne bashkepunim e me shume se njehere, parashikuar nga neni 186/2 i K.Penal.

11. Ana Nishku, akuzuar per vepren penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka per detyre te leshoje dokumentin, kryer ne bashkepunim e me shume se njehere, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i K.Penal.

12. Dali Gazidedja, akuzuar se ka kryer vepren penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga personi qe ka per detyre te leshoje dokumentin, kryer ne bashkepunim e me shume se njehere, parashikuar nga neni 186/3 e 25 i K. Penal.

13.Kastriot Ibrahimaj, akuzuar per vepren penale “Falsifikimi ivulave, stampave ose formularve”, parashikuar nga neni 190/1 iKodit Penal.