Konkurrenca për transportin e udhëtarëve, shkakton sherr mes shoferëve të furgonëve në Bulqizë

4103
Foto ilustruese

Konkurrenca mes shoferëve të furgonëve të linjës Bulqizë-Tiranë dhe Dibër-Tiranë për transportin e udhëtarëve është bërë shkak për një sherr mes tyre. Policia njofton se ka proceduar penalisht për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, Maksim Xhura dhe 2 djemtë e tij, Vilson dhe Klajdi Xhura, që janë edhe shoferë furgonësh në linjën Bulqizë – Tiranë, pasi kanë kanosur shoferin e një linje tjetër furgonash.

“Kanë kanosur dhe tentuar të ndalojnë shoferin e një furgoni të një linje tjetër, shtetasin K.L”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër. Policia ka proceduar penalisht edhe shoferin e linjës Tiranë-Peshkopi, pasi në tentativë për të mos ndaluar furgonin, ka aksidentuar lehtë administratorin e kompanisë tjetër, Maksim Xhura.

Kjo është një ngjarje e përsëritur në Bulqizë, ku administratori i shoqërisë së transportit të udhëtarëve në linjën Bulqizë – Tiranë është përplasur me shoferët e furgonëve të linjës Peshkopi – Tiranë.

Transporti ndërqytetas, qytetas dhe ai urban është një monopol publik që ofrohet nga kompani private. Aktualisht nuk ka asnjë të dhënë publike mbi të ardhurat e realizuara nga kompanitë që ofrojnë këtë shërbim, mbi numrin e udhëtarëve të secilës kompani dhe mbi kostot e shërbimit të transportit.

Hapja për kalimin e automjeteve në rrugën e Arbrit do të shkurtonte kohën e udhëtimit ndërmjet Tiranës dhe Bulqizës në afro 55 km. Çmimi i biletave të transportit publik mbeti 500 lekë për person, njëjtë siç kur në përdorim do të ishte rruga e vjetër.