30 Barna të reja në Listën e Barnave të Rimbursuara për vitin 2017

551

Barnat dhe indikacionet përkatëse të shtuara në Listën e Barnave të Rimbursuara për vitin 2017

Dy barna anti diabetikë, një bar kundër obezitetit në pacientët që vuajnë nga diabeti dhe sëmundje kardiologjike, një bar për Mukopolisakaridozë tipi VI për shërbimin e Pediatrisë, gjashtë barna kardiologjik të cilët mundësojnë trajtimin e pacientit nga monoterapia në terapi  me kombinime të ndryshme, katër barna për shërbimin e nefrologjisë.

Gjithashtu në Listën e Barnave të Rimbursuara 2017 janë shtuar dhe tre barna në doza të ndryshme për shërbimin e Psikiatrisë.

  • Bar për Sklerozën e shumëfishtë recidive remitente
  • Bar për shërbimin e Reumatologjise/Dermatologjisë për sëmundjen e psoriazes.

Tre barna onkologjik me rëndësi për pacientët që vuajnë nga sëmundje tumorale, të cilët shkurtojnë kohën e hospitalizimit.

Lista e barnave këtë vit është vlerësuar dhe në aspektin kosto efikasitet, janë mundësuar kështu barna më cilësor me një kosto më të ulët, duke zgjeruar dhe më tej gamën e barnave të rimbursueshëm.

Zgjerimi i listës së barnave do të thotë mbulim me barna të rimbursuara për pjesën më të madhe të sëmundjeve, në parim të mbulimit universal me shërbim shëndetësor të popullatës.

Lista e re parashikohet të hyjë në fuqi me datën 1 Maj 2017.

Paketat Shëndetësore që mbulohen nga Fondi 

Fondi financon shërbimet shëndetësore nga ofrues publikë dhe privatë, në përputhje me politikat kombëtare të kujdesit shëndetësor. Financimi i shërbimeve shëndetesore është qëllimi kryesor i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në këtë kontekst në mbledhjen e Këshillit Adninistrativ të Fondit u miratuan dhe paketat e shërbimeve të rishikuara si më poshtë;

Paketa e shërbimit të dializës, përmbajtja e paketës së shërbimit të dializës (protokolli) ku përcaktohen vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe çmimet përkatëse të llogaritura në zbatim të Vendimit të Këshillit Administrativ nr. 52, datë 10.12.2013, “Për rregullat e funksionimit të komisionit teknik të paketës së shërbimit të dializës”.

Paketa e shërbimit të implantit koklear, u rishikua përmbajtja e paketës së shërbimit të implantit koklear (protokolli) duke përcaktuar vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore, si dhe çmimet përkatëse të llogaritura në zbatim të Vendimit të Këshillit Administrativ nr. 3, datë 13.01.2014, “Për rregullat e funksionimit të komisionit teknik të implantit koklear”.

Paketa e shërbimit të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë, u rishikua përmbajtja e paketës së shërbimit të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë (protokollet) duke përcaktuar vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore si dhe çmimet përkatëse në përputhje me rregullat e parashikuara në Vendimin e Këshillit Administrativ nr. 56, datë 10.12.2013, “Për rregullat e funksionimit të komisionit teknik të paketave të shërbimit të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë”.

Po kështu u rishikua dhe paketa e shërbimit të transplantit të veshkës, duke riparë përmbajtjen e paketës së shërbimit të transplantit të veshkës (protokolli) duke përcaktuar vizitat, ekzaminimet, trajtimet mjekësore, si dhe çmimet përkatëse në përputhje me Vendimin e Këshillit Administrativ nr. 54, datë 10.12.2013, “Për rregullat e funksionimit të komisionit teknik të paketës së transplantit të veshkës”.

Filozofia e rishikimit të paketave dhe të rregullave të përfitimit të tyre, është një qasje për të përfshirë më shumë pacient në skemën e mbulimit shëndetësor.