139 VJET NGA LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

502

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtarë shqiptar. Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, shqiptarët të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të Perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhat rrezikun e copëtimit të tro jeve të tyre. Prandaj, ata me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit në kohën aktuale të krizës lindore. Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl Frashëri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, në të cilin u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar më 10 qershor 1878.

Kjo lidhje dhe Kuvendi i Prizrenit edhe sot e kësaj dite është një ndër ngjarjet më të rëndësishme historike në analet e ngjarjeve kombëtare shqiptare që nga Lidhja e Lezhës e vitit 1444.

Kjo ngjarje e historisë të kohës së re, edhe pas 139 vjetëve, është e ngulitur thellë në mbamendjen e çdo shqiptari që veten e njeh pjesëtarë të kombit shqiptar.