10 vjet burg ndaj ish-oficerit të policisë për vrasjen e të riut Klodian Rasha

Duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Tiranës dënoi përfundimisht me 10 vjet burg ish-oficerin e policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili me armën e shërbimit dhe gjatë kryerjes së detyrës, ekzekutoi 25-vjeçarin Klodjan Rasha në rrugicën pranë shtëpisë së tij. Pas dhënies së vendimit, babai i të ndjerit shprehu rezerva në dhënien e drejtësisë për këtë çështje.

649
Majtas, i ndjeri Klodian Rasha dhe djathtas ish-oficeri i policisë, Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e të riut në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020, në rrugicën pranë shtëpisë së tij.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë shpalli të mërkurën vendimin për dënimin e ish-oficerit të policisë, Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e të riut Klodjan Rasha në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020, në rrugicën pranë shtëpisë së tij.

Gjyqtarja Hasantari ka vendosur të mekurën më 14 korrik dënimin e Hajdarajt me 15 vjet heqje lirie dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin e tij përfundimtar me 10 vjet burg. Më 3 qershor, prokurori i çështjes Ardian Braho kërkoi dënimin e ish-oficerit të policisë me 20 vjet burgim.

Prokuroria arsyetoi se vepra penale u krye gjatë ushtrimit të detyrës dhe me armën e shërbimit. Pas ngjarjes autori pretendoi se kishte parë një armë në duart e të ndjerit, por pas këqyrjes së kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes, u provua e kundërta. Sipas prokurorisë, rezultoi se Hajdaraj kishte konstatuar se Rasha nuk dispononte armë para se ndaj tij të hapej zjarr.

Pas shpalljes së vendimit nga gjykata, babai i të ndjerit, Qazim Rasha shprehu pakënaqësi për dënimin e caktuar ndaj autorit të vrasjes së djalit të tij.

“Si mund ta quash drejtësi kur çdo gjë është e qartë, çdo gjë është e zbardhur dhe çdo gjë është fushës dhe me një të rënë të lapsit, njëherë mi jep gjykimin e shkurtuar pastaj jep dhe këtë tjetrën”, tha ai.

Vrasja e Rashës u pasua nga një revoltë e qindra të rinjve në rrugët e Tiranës. Dhjetëra prej tyre u arrestuan më pas për protestë të paligjshme, ndërsa i vendosur nën presion publik Ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Veç çështjes ndaj Hajdaraj, një tjetër hetim është në vijim i lidhur me këtë rast dhe ka të bëjë me dyshimet se pati një përpjekje për të manipuluar ngjarjen. Pas ngjarjes së rëndë, lajme të shumta kontradiktore rrodhën në media, përfshirë sugjerimet në njoftimin e policisë se viktima kishte precedentë penalë. Vetë policia deklaroi fillimisht se kishte gjetur një pistoletë në zonën afër vendit të ngjarjes që pretendoi se dyshohet që i përkiste viktimës. Por këto deklarata, që duket se zemëruan një pjesë të publikut, rezultuan të pavërteta.

Pamjet filmike të bëra publike disa muaj pas ngjarjes treguan se Rasha ishte qëlluar në shpinë ndërsa po largohej me vrap prej oficerit të policisë.