1 Maji i përgjakur i minatorëve të Bulqizës

1790
Portreti i një minatori që punon 800 m nëntokë. Miniera e Bulqizës. Shqipëri 2011 Të drejtat e autorit: Jutta Benzenberg

EDITORIAL | bulqizaime.al

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës. Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës. Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite e date të rëndësishme, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes Lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve. Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Për 1 Majin, Bulqiza është ajo që të bie më shumë në mendje, kjo për faktin se vetëm në harkun kohor të 10 viteve, afro 40 minatorë kanë humbur jetën në minierë dhe me dhjetra të tjerë janë plagosur, kjo sipas raportimeve në media. Puna në minierë konsiderohet si puna më e vështirë, por që në Minierën e Bulqizës është më e keq paguara. Sot, në Bulqizë një punëtorë në kompaninë ACR, pjesë e “Balfin grup” që është edhe subjekti më i madh minerar nuk paguhet më shumë se 55,000 lekë të reja dhe në kompanitë që operojnë në zonën mineralmbajtëse D, jo më shumë se 60, 000 lekë të reja në muaj.

Minatorë të minierës së Bulqizës, duke punuar në galeri. Foto: Gj.Erebara, Arkiv

STATUSI, NJË LIGJ QË MBETI NË TENTATIVË

Statusi i minatorit ka qenë premtimi i Kryeministrit Rama që në kohën kur ishte në opozitë, por prej 6 vitesh që është në qeveri, nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim dhe punëtorët e nëntokës akoma nuk kanë një status.

Në qershor 2018, procedurat për miratimin e statusit të minatorit dështuan dhe për këtë qeveria ia hodhi fajin sindikatave për bllokimin e punës. Në një deklaratë të përbashkët për median, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) si dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) deklaronte se prej disa kohësh kanë ngritur një grup pune të përbashkët që ka zhvilluar diskutime me përfaqësuesit e sindikatave, pjesa më e madhe e të cilëve kanë rënë dakord për draftin, por ka një pjesë tjetër të sindikatave që nuk kanë qenë dakord.

Në Tetor 2017, ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu depozitoi në Kuvendin e Shqipërisë një draft për statusin e minatorit. Propozimi u mbajt në “gjumë” për muaj të tërë dhe në janar të 2018-s qeveria dha një vendim negativ.

Projektligji parashikonte pozitën juridike, ekonomiko-financiare dhe shoqërore, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Minierave në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre. Qeveria deklaroi se projektligji për statusin e minatorit sjell efekte negative në skemën e pensioneve dhe buxhetin e shtetit, dhe propozimi i bërë nuk u shoqërua me kostot e detajuara financiare. Po ashtu sipas qeverisë projektligji përmban edhe shkelje kushtetuese dhe të Kodit të Punës.

Miniera e Bulqizës. Photo by Sami Curri

 PREMTIME TË PAMBAJTURA…

Ka dy momente kur shoqëria dhe politikbërësit e zhvendosin vëmendjen tek statusi i minatorit: sa herë që një minator humb jetën duke punuar dhe sa herë që ka fushatë elektorale apo takime për “bashkëqeverisje”.

Të shumtë kanë qenë politikanët të cilët kanë premtuar se do të miratonin një ligj që i siguron një jetë dinjitoze minatorëve dhe ish-minatorëve:

  1. Në qershor të vitit 2018 Ministrja e MbrojtjesOlta Xhaçka tha para banorëve të Klosit: “Kemi qenë gjithmonë ne që kemi adresuar problematikën e minatorëve si kategori. Por çështja e statusit të minatorëve është një problem kakofonie që një status apo propozim vinte nga sindikata, një vinte nga konfederata, një vinte nga një deputet i zonës, një nga një tjetër deputet i zonës, një nga Ministria e Mirëqenies dhe një nga Ministria e Energjisë.

Sot di që çështja ka hyrë në rrugë të mbarë. Po diskutohet po shqyrtohet dhe kam përshtypjen që shumë shpejt do të kemi një draft që sërish do ti hyjë një konsultimi publik që do të marrë edhe dakordësinë tuaj.”

  1. Në tetor të vitit 2018 ishte Damian Gjiknurii cili shprehej për statusin e minatorit: “Për sa i përket statusit të minatorit, ne për statusin e minatorit jemi duke punuar me të gjitha sindikatat dhe sot që flasim ky draft ndodhet në Ministrinë e Financave”

“Për sa i përket statusit, së pari mos e harroni një gjë, që ne mbajtëm angazhimet që kishim në mandatin e parë lidhur me minatorët. Se duket sikur minatorët trajtohen njësoj sikur trajtoheshin më përpara, kjo nuk është e vërtetë. Për sa i përket statusi ne po bëjmë një draftligj siç e ka gjithë Europa, një status për të gjitha këto profesionet e vështira që hyjnë te kategoritë e mbajtjes së statusit të veçantë. Do ta çojmë në Parlament besoj brenda nëntorit dhe t’i japim drejtim kësaj çështje në mënyrë definitive, brenda mundësive si dhe duke respektuar sakrificat që ju keni bërë në këto fusha të vështira”, shprehej Rama në tetor të vitit 2018 me banorët e zonës së Hasit.

Statusi i minatorit duket ende një premtim i largët jo vetëm për personat që shpresojnë për një jetë dinjitoze pasi shpenzuan vite të tëra të jetës nën tokë por edhe për ata që ende sot, përballen me rrezikun e punës në minierë.