Një pjesë e mësuesve në Bulqizë e Mat, refuzojnë vaksinimin me AstraZeneca

1285
Vaksinat AstraZeneca. Foto: VOA

Prej ditës së hënë ka nisur në të gjithë qarkun e Dibrës, procesi i vaksinimit të mësuesve kundër COVID-it me vaksinat AstraZeneca. Hasan Manja, drejtues i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Dibër i tha Bulqiza ime me telefon se ishin vaksinuar 162 mësues. “Nuk ka pasur mësues që kanë refuzuar vaksinimin në Dibër. Shifet edhe vetë numri që ne kemi ecur shumë mirë me procesin e vaksinimit.” u shpreh Manja.

Edmond Kalthi, drejtues i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, në një bisedë telefonike për Bulqiza ime bëri me dije se janë vaksinuar vetëm 21 mësues.”Ditën e parë janë vaksinuar 10 persona dhe ditën e dytë 11 persona. Nuk kemi të dhëna për refuzime. Problem mbeten shkollat e thella, kjo për shkak të terrenit.” u shpreh Kalthi.

Procesi i vaksinimit të mësuesve kundër COVID-it, në shkollën “Xhevdet Doda”. Foto: NJVKSH Bulqizë

Në të njëjtat shifra si Mati mbetet edhe Bulqiza. Burime të Bulqiza ime nga grupi i vaksinimit, bëjnë me dije se një pjesë e madhe e personelit arsimorë kanë refuzuar që të vaksinohen. Flamur Meta, drejtues i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Bulqizë, në një bisedë telefonike për Bulqiza ime bëri me dije se janë vaksinuar 22 persona. Meta tha se disa mësues, me vullnetin e tyre nuk kanë pranuar që të vaksinohen.

Hezitimi i një pjese të mësuesve që të bëjnë vaksinën anti-COVID të kompanisë “AstraZeneca”, vjen pasi disa shtete europiane kanë pezulluar përdorimin e kësaj vaksine. Autoritetet Shëndetësore në Dibër bëjnë me dije se, mësuesit që refuzojnë bërjen e vaksinës sipas planifikimit, mund ta bëjnë atë në një kohë tjetër.

Vaksinat AstraZeneca mbërritën në Shqipëri pak ditë më parë. Duke filluar nga e hëna e kësaj jave, vaksinimi i mësuesve ka nisur në të gjithë Shqipërinë. Disa vende evropiane kanë pezulluar imunizimet me këtë vaksinë, pasi ka pasur raportime për mpiksje të gjakut në disa individë pas vaksinimit.

Procesi i vaksinimit të mësuesve kundër COVID-it, në shkollën “Xhevdet Doda”. Foto: NJVKSH Bulqizë

Sindikata e Pavarur e Arsimit ngre shqetësimin se mësuesit janë vënë nën presion për t’u vaksinuar

“Kemi mirëpritur propozimin e Komitetit të Ekspertëve për kategorizimin e mësuesve në grupet e para të vaksinimit, por informacionet e ditëve të fundit, ku disa shtete kanë pezulluar vaksinimin e tyre me ‘AstraZeneca’ kanë rritur shqetësimin e mësuesve mbi sigurinë e shëndetit nga bërja e kësaj vaksine. Të mos ushtrohet presion ndaj mësuesve që nuk dëshirojnë të vaksinohen dhe t’iu krijohet mundësia të vaksinohen me vonë”. Thuhet në deklaratën shpërndarë për mediat.

SPASH në kërkesat drejtuar qeverisë, kërkon që ky proces të mos bëhet në shkolla e palestra, por pranë qendrave shëndetësore. dhe me aprovimin paraprak të mjekut të familjes. “Mësuesit, për të cilët mjeku i familjes pas studimit të kartelës shëndetësore dhe analizave të gjakut ka rekomanduar mosbërjen e kësaj vaksine, t’iu krijohet mundësia e vaksinimit më vonë me vaksinë tjetër”, thuhet në reagim.

OBSH rekomandon vijimin e vaksinimit me AstraZeneca

Agjencia Europiane e Barnave, EMA, deklaroi të martën se përfitimet nga vaksina “AstraZeneca” janë më të mëdha se rreziqet që vijnë prej saj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar vendeve të Bashkimit Evropian të vijojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19.

OBSH rekomandon se “benefitet nga përdorimi i AstraZenecas në luftën e COVID-19 janë më të mëdha se rreziqet”. COVID-19 ka shkaktuar deri më sot 2.6 milionë viktima.

“Rekomandimi në këtë pikë është që përfitimi i rrezikut nga mos-vaksinimi me vaksinat AstraZeneca dhe vaksina të tjera tejkalon rrezikun e infeksionit COVID-19, i cili ne e dimë se ka një ndikim të rëndësishëm tek njerëzit me sëmundje të rëndë, duke çuar në hospitalizim e vdekje” – tha Mariangela Simao asistente e drejtorisë së përgjithshme të OBSH-së.

Drejtuesja e kabinetit shkencor të OBSH-së, Dr. Soumya Sëaminathan, theksoi se 300 milionë doza vaksinash kundër COVID-19 janë shpërndarë në gjithë botën dhe nuk ka deri më tani asnjë lidhje të dokumentuar me ndonjë rast vdekjeje të shkaktuar prej tyre.

Ajo tha se rastet me mpiksje gjaku, ndodhur pas injektimit të vaksinës së AstraZeneca, janë në fakt “më pak se sa pritet në një popullatë të përgjithshme”.

Në një reagim Kompania AstraZeeneca merr në mbrojtje vaksinën e saj duke dhënë edhe shpjegime

“Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor. Ne jemi duke punuar me autoritetet kombëtare shëndetësore dhe zyrtarët evropian, presim vlerësimin e tyre gjatë kësaj jave. Rreth 17 milionë njerëz në BE dhe në Britani janë injektuar me vaksinën tonë, dhe numri i rasteve me mpiksje gjaku në këtë grup është më i ulët sesa qindra raste që mund të priten  në mesin e popullatës së përgjithshme,” – tha në një deklaratë për shtyp kompania farmaceutike që prodhon vaksinat AstraZeneca.